Banorët e Visokës i zënë derën kompanisë së naftës, drejtuesi sillet si harbut me gazetaren: Mos na çaj tr***n

Banorët e fshatit Visokë në Fier kanë dalë për të protestuar kundër ndotjes, dhe shkatërrimit të infrastrukturës nga një kompani, e cila kërkon naftë pranë banesave të tyre.

Ata thonë, se ndotja e madhe po shkakton probleme shëndetësore tek familjet e tyre.

"I kemi fëmijët të gjithë sëmurë, nuk merret asnjë masë. Ja ku janë depozitat e naftës aty, fëmijët janë në shkollë."

"Ku shkon ky helm, në mushkëritë tona."

Kompania me mjetet e rënda sipas tyre ka shkatërruar edhe rrugët, ndërsa në asnjërën prej tyre nuk ka ndërhyrë për ta mirëmbajtur.

"Mos të kalojnë me bote në tonazhe të caktuara sepse këtu ka plot familjarë nga ne që ajo pesha e botit ja ka çuar dhe një mur te dera e shtëpisë."

Sëbashku me gazetarët, banorët iu drejtuan kompanisë për të marrë edhe qëndrimin e tyre.

Por, gazetarët u përballën me qëndrime ironike dhe fyese të drejtuesve të kompanisë së naftës.

Gazetarja: Çfarë do t'u thoni banorëve sot?

Bejtaj: Me banorët po flas tani, mos ma çaj tr***n dhe ti shumë. Rri këtu, lër të flasin ata.

Banorët: I paedukatë.

Bejtaj: I paedukatë jam, rri urtë.

I njëjti person nuk jep një date se kur do të përfundojë rikonstruksioni i rrugës.

Bejtaj: Herë pas herë riparojmë siç kemi premtuar.

Banorët: Jo, mos gënje! Gënjen!

Bejtaj: Nuk kemi riparuar asnjëherë?!

Të gjendur përballë ndotjes së madhe, shkatërrimit të infrastrukturës dhe arrogancës së kompanisë private, banorët kanë vetëm një rrugë.

Banori: Vetëm të ikim, shumica e fshatit kanë ikur, janë larguar.