A do hetohen zyrtarët "non grata"? Kraja: Të vendosur nëse kemi indicie dhe materiale
SPAK nuk ka vënë nën hetim asnjë zyrtar të shpallur non grata nga DASH, me përjashtim të ish-kryeprokurorit Llalla. Drejtuesi, Arben Kraja, tha se ai është një proces që ndodh në SHBA, dhe se Shqipëria ka procedurat dhe parashikimet e saj ligjore.
Megjithatë ai garantoi se nëse do të ketë në dispozicion indicie dhe materiale nuk do të "amnistojë" askënd nga ndjekja penale, kushdo qoftë ai.
Ralf Gjoni: Kur mendoni ju se do të fillojnë të procedohen penalisht peshqit, nuk po flas për peshq të mëdhenj. Keni shpresë se në 2-3 vitet e ardhshme do të ketë hetime, procedime dhe ndëshkime ndaj disa përfaqësuesve të krimit të organizuar që ende sot bëjnë ligjin në ambiente politike. Dhe pyetja e dytë nga e gjithë lista e personave të shpallur non grata nga SHBA, Shqipëria është ndër të paktat vende ku personat e shpallur non grata nuk kanë pasur një procedim penal apo hetim paraprak përpara se të shpalleshin non grata. Përveç Adriatik Llallës emrat e tjerë janë të paproceduar. A mund të kemi shpresë se çdo vendim non grata nga SHBA do të ndiqet nga ana juaj me procedime dhe hetime?
Arben Kraja: SPAK nuk vepron si strukturë emergjence por bazuar në prova.Kemi filluar aktivitetin dhe unë kam raportuar, janë dënuar persona, janë ngritur akuza për grupe të rrezikshme kriminale, për herë të parë është aplikuar dhe akuza për pastrim produktesh, nuk kishte ndodhur te krimet e rënda një histori të tillë, konfiskim të pasurive. Bashkëpunojmë me të gjithë strukturat dhe faktorin ndërkombëtar.Rezultate ka pasur por pritshmëritë e njerëzve janë të mëdha.Jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet do ta hetojmë duke mbledhur provat e nevojshme dhe duke shkuar në përfundime. Lista e SHBA është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Republikën e Shqipërisë dhe kemi procedurat dhe parashikimet tona ligjore si fillohet një procedim penal, si ushtrohet ndjekja penale dhe si arrihet para gjykatës. Ju garantoj se çfarëdo indicie, material që do të vijë apo do të kemi në dispozion në raport me çdo shtetas të Shqipërisë për kompetencat që kemi juridiksionin tonë jemi të vendosur për të çuar ndjekjen penale deri në fund, qoftë penalisht, qoftë nga pikapamja e hetimit financiar, qoftë dhe nga pikëpamja e bllokimit të pasurive të paligjshme.
