Greqi/ Protesta dhe greva kombëtare, debat për kodin e ri të punës

Greqia po bëhet gati për një valë protestash që kanë në qendër kundërshtimin e ndryshimeve në Kodin e Punës.

Debatet e ashpra pozitë-opozitë nisën që të hënën në Kuvend, dhe grupet parlamentare kanë kërkuar shtrirjen e seancave për të paktën tri ditë, në mënyrë që ndryshimet ligjore të hidhen për votën natën e 16 qershorit.

Pikërisht të mërkurën janë planifikuar aksionet e sindikatave dhe lëvizjeve qytetare.

Konfederata e nëpunësve civilë ka njoftuar grevë kombëtare 24-orëshe, ndërsa pritet të pezullohet puna edhe në portet detare pasi 13 sindikata kanë kërkuar ndërprerjen e aktivitetit.

Mijëra grekë dolën në protestë javën e kaluar, me mesazhe kundër reformës së propozuar nga konservatorët e kryeministrit Kiriakos Micotakis, që sipas tyre prek disa nga të drejtat themelore, si të drejtën për t'u paguar mbi orarin e punës dhe zgjatjen e saj përtej 8 orëve normale, edhe pse orët mund të reduktohen një ditë tjetër.

Ndërkoha qeveria pretendon se ndryshimet e reja rritin konkurrueshmërinë e vendit, opozita dhe partia Siriza e ish-kryeministrit Aleksis Cipras thotë se dalja me një ligj të ri të kontestueshëm në kohë pandemie rrezikon humbjen e vendeve të punës.