Zyrtare/ Lulzim Basha edhe një mandat në krye të PD, fiton bindshëm ndaj tre rivalëve
Me 32 mijë e 882 vota Lulzim Basha është certifikuar për një mandat të tretë në krye të Partisë Demokratike. Procesi zgjedhor për kreun e selisë blu, është zhvilluar mes debateve ku rivalët e kanë akuzuar Bashën për garë të pa drejtë dhe manipulime.
Komisioni Zgjedhor në Partinë Demokratike, pas administrimit të 76 procesverbaleve të qendrave të votimit ka certifikuar rezultatin, duke i dhënë një mandat të tretë në krye të PD-së, Lulzim Bashës.
Gjana: Nga 75067 anëtarë të PD kanë votuar 41097 anëtarë. Vota të pavlefshme janë 413, vota të vlefshme 40684. Të ndara sipas kandidatëve në garë për kreun e Partisë Demokratike, për Fatbardh Kadillin kanë votuar 781 anëtarë, për Edith Harxhin 983, për Agron Shehaj 6038 anëtarë dhe për Lulzim Bashën 32882 anëtarë.Bazuar në këto të dhëna Komisioni Zgjedhor i PD shpall zyrtarisht fitues të garës për kryetar të PD zotin Lulzim Basha.
Procesi i votimit u zhvillua në datën 13 qershor, ndërsa kandidatët rivalë të Lulzim Bashës shprehën rezerva për procesin duke denoncuar pa rregullësi.
Agron Shehaj dhe Edith Harxhi, ende nuk kanë reaguar për rezultatin, ndërsa Fatbardh Kadilli e ka njohur atë, ndonëse nuk e ka një urim për Lulzim Bashën.
Fatbardh Kadilli tha se do të vazhdojë të jetë një zë i fortë brenda Partisë Demokratike, për demokratizimin dhe ringritjen e saj.
"Unë nuk iki. Nuk dorëzohem dhe nuk krijoj parti të re. Do vijoj me kembengulje të shpalos para anëtarësisë këtë manifest" tha Kadilli
Pas procesit të zgjedhjeve për kryetar, Partia Demokratike pritet të nisë një fazë tjetër, atë të analizës në çdo kuti votimi të të zgjedhjve të 25 prillit.
Me rikonfirmimin si kryetar, pritet që në ditët e ardhshme të ketë edhe ristrukturim të kësaj force politike duke nisur që nga qendra e deri në bazë.



