Kriza e mbetjeve në Durrës/ Bashkia kërkon 5.5 milionë euro nga qeveria
Kriza e keqmenaxhimit të mbetjeve në Durrës, ku kontejnerët mbushen plotë për ditë me radhë, digjen e hidhen në kanale pritet që të vazhdojë në sfondin e një përplasjeje institucionale mes qeverisë dhe Bashkisë.
Një vit më parë qytetit bregdetar iu dhënë mundësia që t’i dërgojë mbetjet në landfillin e Sharrës në Tiranë, por tashmë gjithçka është kthyer në pikën zero, pasi kontrata ka përfunduar.
Tanimë Këshilli i bashkisë ka miratuar një plan të ri, që do të kushtojë plotë 5.5 milionë euro, përfundimi i të cili shkon sërish në dyert e landfillit në kryeqytet.
Në këtë skenar 5 milionë euro do të shpenzohen vetëm për ndërtimin e një stacionit te transferimit në Durrës, ku fillimisht do të bëhet mbledhja e mbetjeve të Bashkive Durrës, Shijak dhe Krujë në bazë të një marrëveshje ndër-bashkiake, dhe pasi të ndahen në mbetje të riciklueshme dhe mbetje të tjera, do të nisen në landfillin e Sharrës në Tiranë, ku do të paguhen edhe 29 euro për çdo ton.
Agjencitë përkatëse kishin paraqitur 3 skenare për miratim, ndërsa kostot e larta të dy skenarëve të tjerë që shkonin deri në 50 milionë euro bënë që të miratohet skenari me koston më të ulët.
Por edhe në këtë projekt fondet konsiderohen të papërballueshme, ndaj dhe është kërkuar ndihmë financiare prej buxhetit të shtetit.
Para Këshillit Bashkiak propozimin më herët e ka miratuar edhe këshilli i qarkut të Durrësit.
Prej më shumë se një viti Bashkia e Durrësit ka qenë në një krizë të madhe të menaxhimit të mbetjeve urbane, për shkak se vendgrumbullimi i mbetjeve në zonën e Spitallës për shkak të kushteve të këqija u vendos të mbyllej përfundimisht.
Urdhri i Biden, Meta: Mbështesim çdo iniciativë kundër korrupsionit
11 Qershor, 13:38


