"Hemoragjia" e krimeve, domosdoshmëri mekanizmat me sociologë e psikologë në institucione

Një hemoragji tronditëse. Kështu e cilëson sociologu, Zyhdi Dervishi, situatën që po ndodh muajt e fundit në Shqipëri me krimin në përgjithësi, veçanërisht ngjarjet e rënda brenda familjes.

"Nëse ai është frustuar në atë masë njeriu saqë vret edhe njeriun e tij të afërt, vret motrën, vret babain, vret nënën. Ky është një "bombë me sahat" që lëviz nëpër qytet dhe ai mund të shpërthejë në çdo çast."

Emergjente për sociologun shihet ashpërsimi i masave për autorë të ngjarjeve të tilla dhe krijimi i mekanizmave të posaçëm në institucionet publike për të minimizuar fenomene të tilla.

"Shteti shqiptar mund të jetë projekt i parlamentit shqiptar, duhet të iniciojë një studim kompleks i cili duhet të ketë në përbërjen e vet sociologë, psikologë, juristë, ekonomistë, etnografë e me radhë dhe të bëjë një studim të kompletuar për gjithë Shqipërinë sesi mund të dilet nga situata".

Psikologët nga ana tjetër e shohin fenomenin si vështirësisht të parandalueshëm.

Marsela Lekli thotë se shkaqet kryesore shihen te mentaliteti dhe trazirat në marrëdhëniet bashkëshortore.

"Diku ka shkaqe xhelozie, diku janë shkaqe ekonomike, diku ka shkaqe tradhëtie, diku janë shkaqet e alkoolit, abuzimet me lëndët narkotike."

Specialistët japin mesazhe për krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe sugjerojnë konsulta me specialistët në raste të mbingarkesave emocionale.

"Të marrin sa më shumë këshillime, sa më shumë konsulenca sesi mund të mbahet një familje e shëndetshme."

"Ti gjendemi njëri-tjetrit më shumë."

Rasti i fundit i krimit në familje ishte ai në Librazhd ku burri vrau me sëpatë bashkëshorten e më pas u vetëvra.