Transporti ndërkombëtar në Sarandë drejt falimentimit, kompanitë të shqetësuara për mbylljen e kufijve
Prej 15 muajsh transporti ndërkombëtar i autobusëve është pezulluar. Shoferët kanë humbur vendin e punës, ndërsa kostoja e udhëtimit drejt Greqisë është disafishuar.
Në Sarandë problemi është më i prekshëm, për shkak të lidhjes së domosdoshme që qytetarët kanë me shtetin grek.
"Sot qytetarët shqiptarë vuajnë në mënyrë makabre duke udhëtuar drejt Kakavijës. Atu ikin në këmbë si para viteve '97 me çanta, të moshuar në diell, në shi dhe zbresin në territorin grek ku transportohen nëpërmjet kompanive greke," tha Ahmeti.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar të Udhëtarëve, Shpëtim Ahmeti shprehet se me grupet e interesit, nuk ka pasur asnjë komunikim.
Ndërsa shoqëritë e transportit ndërkombëtar thonë se ky sektor po shkon drejt falimentimit.
"Për të kontaktuar me grupet e interesit, me operatorët e transportit kombëtar të udhëtarëve të cilët kanë ngelur në një kolaps drejt falimentimit. Që nga ajo ditë e deri sot punonjësit tanë kanë marrë rreth 76 mijë lekë të reja pagesë lufte dhe 26 mijë lekë të cilat u dhanë për pagë edhe kjo pas gushtit të 2020-ës. Ne nga 13 punonjës që kishim, sot kemi vetëm 3," tha Ahmeti.
Mos hapja e plote e kufijve nga shteti grek, ka sjell kosto të mëdha si për qytetarët dhe kompanitë e transportit publik, ndërsa ende nuk ka një datë fikse se kur pritet që të hapen tërësisht kufijtë.
