BE vendosi të zbulojë portofolin dixhital të përshtatshëm për jetën pas-Covid

Komisioni Evropian propozoi këtë të enjte futjen e të ashtuquajturave kuleta digjitale, të cilat do të ofrojnë shërbime të ndryshme në të gjitha vendet anëtare të bllokut europian.

Mediet në Bruksel shkruajnë se ky është një hap më tej për të sjellë bashkë unionin, për të lehtësuar qytetarët e BE-së, dhe se pandemia e Koronavirusit i nguti punët për një projekt të këtillë.

Nëse sot me anë të telefonit lajmi udhëton në sekonda nga njëra anë e globit në tjetrën, ekspertët thonë se me anë të një aplikacioni në telefon, qytetarët e BE-së do t’i kenë të gjitha gjërat që u nevojiten aty.

Marrja me qira e një makine, karta e identitetit, aplikimi për kredi, çelja e një llogari bankare, deklaratat tatimore ose regjistrimi në universitet, do të bëhen në mënyrë krejt elektronike, pa u dashur vajtja zyrë më zyrë.

Komisioni Europian synon që prototipin e parë ta ketë gati deri në tetor të 2022-shit.

Komisioni propozoi këtë të enjte kornizën e një ligji për këtë shërbim digjital që shumica e shërbimeve do të jenë online dhe vetëm një klikim larg.

Disa shtete anëtare e ofrojnë që tani një shërbim të ngjashëm, dhe infrastruktura e re europiane do të ngrihet duke bashkëvepruar me aplikacionet dhe sistemet ekzistuese. Kjo nuk është e detyrueshme, por çdo qytetar që ka dëshirë do të mund ta shkarkojë aplikacionin në telefon.

Projekti ka si synim që deri në vitin 2030 të gjitha shërbimet kryesore publike duhet të jenë në dispozicion edhe në internet.