Rivalët e Kryeministrit Netanyahu arrijnë marrëveshje për koalicion

Izraeli mund të mbyllë të hënën epokën 12-vjeçare me Benjamin Netanjahun në krye të qeverisë, pasi opozita ka krijuar koalicionin që kishte paralajmëruar vetëm pak orë para skadimit të afatit. Naftali Benet është propozuar të drejtojë kryeministrinë për dy vitet e ardhshme, me rotacion me aleatin kryesor.

Izraeli pritet të hënën të ketë një qeveri të re, dhe për herë pas 12 vitesh, kryeministri aktual, Benjamin Netanjahu nuk do të jetë pjesë e saj.

Siç e kishte paralajmëruar, opozita bëri bashkë të mërkurën një koalicion prej 8 partish, duke mbledhur 61 votat e nevojshme por një shumicë ende të brishtë në parlamentin 120-vendësh.

I mandatuari për formimin e qeverisë, Jair Lapid, njoftoi presidentin se me aleatin e tij nacionalist, Naftali Benet, të cilin do i besojë pushtetin me rotacion për 2 vitet e para.

Partneritetit kundër Netanjahut iu bashkua për herë të edhe partia e komunitetit arab në vend.

Mansour Abbas: Kemi rënë dakord për arsimin, mirëqenien, punësimin, zhvillimin ekonomik, ndërtimin, për eliminimin e krimit dhe dhunës. Ka shumë gjëra në marrëveshjeje që janë në të mirën e shoqërisë arabe dhe të asaj izraelite.

Përfshirja e partisë islamike në koalicionin e ardhshëm po shihet me entuziazëm pak javë pas tensioneve mes komuniteteve dhe një konflikti me palestinezët që la viktima të shumta.

Politika izraelite e arriti akordin pas katër garave të parakohshme që asnjëherë nuk i dhanë mazhorancë të qëndrueshme Netanjahut.

Përpjekjet e tij politike i sabotuan akuzat dhe gjyqet për korrupsion e shpërdorim detyre.

Chen Kostukovsky: Jemi shumë të gëzuar që pas një viti korone kur vuajtëm shumë, të përjetojmë një moment të tillë historik. E kishim humbur thuajse fare shpresën pas këtyre dy viteve dhe shpresojmë të kemi një epokë të re që e risjell shpresën në Izrael.

Partitë e koalicionit të ri kanë propozuar të hënën si ditën për votëbesimin e qeverisë ndërsa po bëhen tentativa për ta vonuar procesin duke tërhequr deputetët e lëkundur.

Parlamenti plotësoi një ditë më parë edhe postin kryesisht ceremonial të kryeshtetarit, duke zgjedhur diplomatin Isak Herxog për president, pasardhës i një prej familjeve më me emër në Izrael.