Kalifornia përgatitet për sezonin e zjarreve: Asgjë nuk duket mirë

Zjarret në Kaliforni në 2020-ën lanë dhjetëra viktima përveçse shkrumbuan mbi 1 milionë e gjysmë hektarë pyje.

Në 25 muajt e fundit, shteti jugperëndimor i SHBA-së ka regjistruar 101 civilë të vrarë prej zjarreve të pakontrolluara dhe janë rrënuar mbi 20 mijë struktura banimi e biznesi.

Autoritetet po përgatiten për një sezon të ri të vështirë, pasi vera që tani po i jep shenjat se ka për të qenë tepër e nxehtë.

"Edhe ky ka për të qenë vit i jashtëzakonshëm. Kemi thatësirë të madhe në shumë pjesë të vendit dhe shkurret e thara që shërbejnë si karburant kanë potencialin për ta zgjatur sezonin e sivjetëm."

Zjarret e 2018-ës sa s'e fshinë nga harta qytezën e vogël të Parajsës.

Mbi 95 për qind e godinave të komunitetit atëkohë u përfshinë nga flakët edhe prej afërsisë me pyjet, por shumë pak janë rikthyer në banesa që pas evakuimeve.

"Është kjo thatësi që na bën nervozë të gjithëve. Tani jemi në maj, por në gusht, në shtator është më keq dhe një shkrepëse duhet për t'i vënë zjarrin gjithë zonave drusore."

Ndërsa zjarret janë pjesë e ciklit natyror të pyjeve kaliforniane, sezonet po nisin herët vitet e fundit, dhe po mbyllen më vonë.

Faktori kryesor ndikues është ndryshimi i klimës globale, thonë zyrtarët e shtetit amerikan.