Video/ Momenti i vrasjes së Delon Troqes në Vlorë, autorët hapën xhamin dhe qëlluan drejt 38 vjeçarit me breshëri

Ky është moment i vrasjes me automatik i Delon Troqes, personazhit që ishte kthyer nga Spanja në Vlorë, në 16 Mars të këtij viti.

Një automjet ngjyrë e zezë, që në dukje shihet se është një makinë tip “Audi” me portobagazh, afrohet pranë hyrjes së servisit ku qëndronte Delon Troqe dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij mbrëmjen e 21 majit 2021.

 Goditja me armë ka qenë në dy kohë të ndryshme dhe nga brenda makinës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Delon Troqes.


Më pas autorët janë larguar me shpejtësi, duke mos mundur të arrestohen nga policia dhe prokuroria e Vlorës, sot e kësaj dite.

Makina e tyre është gjendur plotësisht e djegur dhe kjo ka bërë që në vendin e ngjarjes të ketë shumë pak prova të vlefshme për identifikimin e autorëve të kësaj vrasje.

38-vjeçari u sulmua në derën e një servisi që zotëronte pranë stadiumit "Flamurtari" me dy armë kallashnikovë që u gjetën të djegura bashkë me makinën që dyshohet se përdoren autorët për sulmin.

Ekspertët kriminalistikë i gjetën një pistoletë në brez, por që ai nuk mundi ta përdorë siç duket për shkak të sulmit të befasishëm.

Pistoleta e gjetur në brez, tregoi qartë se ai i druhej një atentati të mundshëm.

Në fakt Delon Troqe është viktima e tretë radhazi në Vlorë që i gjendet armë në brez pas ekzekutimit.

Më herët, policia u ka gjetur pistoletë në trup, Taulant Manajt të vrarë në “Transballkanike” në 3 mars dhe Bledar Birçajt të ekzekutuar në makinën e tij në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit.

Ndërsa bashkë me Bledar Birçajn dhe Everest Çakën, e ekzekutuar në Elbasan, 38 vjeçari ndan të përbashkët faktin se janë vrarë vetëm pak kohë pas kthimit nga Spanja.

Delon Troqe, kishte vetëm dy muaj e gjysmë që ishte kthyer nga shteti iberik, ku burime pranë Policisë së Vlorës thonë se dyshohet se është marrë me kultivim droge në të ashtuquajturat shtëpi bari dhe tregimin e saj.