Tushi: Fëmijët janë të rrezikuar, prindërit e mësuesit t’u flasin për seksualitetin

Sociologu Gëzim Tushi, thotë se fëmijët në ditët e sotme janë më të rrezikuar sesa të rrezikshëm.

I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, Tushi u shpreh se kanë filluar të shfaqen fenomene si përdorimi i drogës, seksualiteti i parakohshëm dhe abuzimet psikologjike, fizike dhe seksuale.

Më tej ai thotë se prindërit dhe mësuesit duhet të jenë më të hapur më fëmijët dhe t’u flasin për ngacmimet seksuale.

“Fëmijët e sotshëm më shumë se janë bërë të rrezikshëm janë të rrezikuar. Jetojmë në  një situatë ku kanë filluar të shfaqen fenomene të tilla siç janë përdorimi i drogës, përdorimi i alkolit, seksualiteti i parakohshëm, në shoqërinë shqiptare është shfaqur një turp social shumë dimensional sikurse janë abuzimi me fëmijët, abuzimi fizik dhe psikologjikisht, e sidomos fenomeni i abuzimit seksual. Ne duhet të merremi seriozisht për t’i mbrojtur fëmijët.

Do ju thoja prindërve dhe mësuesve, të merren me kujdes me fëmijët. Nëse ne nuk ligjërojmë me fëmijët për seksualitetin. Shoqëria shqiptare, ca nga hipokrizia, ku çështja e seksit është si një tutkall dhe gati nuk e përmendim fare në kohën time. Prindërit dhe mësuesit nuk u mësojnë fëmijëve gjënë minimale për ngacmimin seksual dhe si të mbrohen nga ngacmime të tilla.”

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Anila Kolgjini.