"Turqia dhe Ballkani infektuan me Covid Gjermaninë", Rama përplaset me Ministrin gjerman
Kryeministri Rama ka replikuar me ministrin gjerman të Shëndetësisë për pandeminë në Ballkan. Ministri ka kërkuar që të shihet me kujdes Ballkani, sepse sipas tij ka qenë eksportues koronavirusi në Gjermani vitin e shkuar. Rama e cilësoi këtë deklaratë si skandal, dhe tha se nuk do të lejojë që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet për pushime.
Mediumi gjerman “Bild” kthehet sërish në qendër të vëmendjes në Shqipëri. Këtë herë jo për publikim përgjimesh zgjedhore, por për një debat mbi pandeminë mes kryeministrit Rama dhe ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn.
Ndërsa vendet e Bashkimit Europian kanë filluar që të lehtësojnë masat anti-Covid me ardhjen e sezonit veror, Ministri gjerman është shprehur dyshues për lehtësimin e masave të udhëtimit me Ballkanin.
“Ne mësuam nga vera e kaluar. Asokohe, udhëtimet jashtë vendit, shpesh vizitat te të afërmit në Turqi dhe Ballkan, shkaktuan rreth 50 përqind të infeksioneve tona të reja. Ne duhet ta parandalojmë këtë këtë vit"- deklaroi Spahn.
Kryeminsitri Edi Rama ka reaguar për këtë rast duke e cilësuar skandal denoncimin publik që i bën Ministri gjerman Ballkanit.
"Skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin. Dhe, kësisoj, gjithashtu zhvlerëson edhe njerëzit nga një sfond migrimi. Nuk do të lejoj që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet për pushime" ka deklaruar kreu i qeverisë.
Për kryeministrin Rama nuk ka shifra për ta provuar këtë.
"Një ministër gjerman i shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi stereotipike kundër Ballkanit në mënyrë që të mbrojë një rekord të dukshëm të keq" thotë Rama.
Ndërkohë, vetë Bashkimi Europian ka ngritur një sistem të tërë referimi në mënyrë që t'u sigurojë udhëtarëve në Europë një pasqyrë më të mirë të situatës pandemike dhe kufizimeve të mundshme.
Unioni ka prezantuar një sistem të ndarë në tre zona: jeshile, portokalli dhe të kuqe.
Përveç kësaj, ekziston ngjyra gri për rajonet nga të cilat nuk ka të dhëna të mjaftueshme.
Aktualisht, e kuqja dominon në kontinent. Por ajo që vlen të theksohet është se në të gjitha hartat që përditësohen mesnatën e çdo të marte, Ballkani paraqitet zonë gri, ku ka informacion të pamjaftueshëm ose që shkalla e testimit është më e ulët se 300 njerëz për 100 000 banorë.

