Mesazhi nga Fieri: “Mos e mëso vajzën si të vishet, mëso djalin si të mos përdhunojë”
Pas disa qyteteve të Shqipërisë edhe në Fier është protestuar të martën kundër akteve të përdhunimeve.
“Mos e mëso vajzën si të vishet, mëso djalin si të mos përdhunojë”, ishte një ndër thirrjet që nxënës dhe mësues të Shkollës 'Janaq Kilica' përdorën gjatë një proteste në qytet.
Vajzat dhe gratë atje thanë se aktet e ngacmimeve seksuale dhe përdhunimeve duhet të hetohen e ndëshkohen nga autoritetet përkatëse.
"Nuk është faji jot dhe as i imi që edukatën më të rëndësishme të jetës prindërit tanë harrojnë t'ua mësojnë djemve të tyre."
Protestuesit marshuan rrugëve të qytetit, ndërsa dhanë mesazhe të qarta kundër akteve që kanë tronditur vendin kohët e fundit.
Protesta kundër dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave janë mbajtur më herët edhe në Burrel, Peshkopi, Durrës, Shkodër e Tiranë.

