Topuzi: Presim turistë nga Ballkani e shqip-folës, shpresojmë të kemi një ulje të taksave vendore
I ftuar në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, kreu i shoqatës së hoteleri-turizmit, Zak Topuzi u shpreh se këtë vit në turizëm do të tentohet që të ketë vizitorë nga Ballkani dhe territori shqip-folës.
Topuzi tha se vaksinimi pritet që ta ndihmojë këtë proces dhe se duhet marrë masa për t'i ndihmuar bizneset që merret me industrinë e turizmit.
Topuzi: Ne do të tentojmë që të kemi vizitorë nga Ballkani dhe territori shqip-folës. Një pjesë e njerëzve janë të vaksinuar dhe shpresojmë që një pjesë e stafeve të industrisë të vaksinohen. Ne e kemi të qartë se turistët kryesorë do të jenë nga Kosova, Maqedonia dhe shtetet rreth nesh. Të gjithë vendet e Evropës po tentojnë që të zhvillojnë turizmin e brendshëm duke mos lejuar daljen e valutës. Prandaj edhe ne do t'i qëndrojmë fort turizmit të rajonit dhe atij të rajonit. Ne shpresojmë që këtë vit të ketë një lëvizje më pozitive, pasi edhe vendi është hapur.
Ne kemi një kapacitet të ulët lidhur me akomodimin sa i takon aftësisë akomoduese në kapacitete të mëdha. Mbi 80% e aftësisë tonë akomoduese nuk i kalon më shumë se sa 60 shtretër. Vetë industria ka qenë e penalizuar pasi është prekur e gjitha nga pandemia. Agjencitë turiste mbyllën aktivitetin e tyre, pasi nuk ka pasur lëvizje. Rajoni ka marrë masa shumë ekstreme për ta ndihmuar këtë industri. Besoj se do të duhen disa vite që vendi ynë ta rimarrë veten nga pandemia dhe pasojat e saj.
Topuzi shtoi se shpresohet që të bëhet një takim me ministrin e Turizmit dhe të hiqen së paku taksat vendore, për shkak të pamundësisë nga pandemia.
Topuzi: Janë disa masa të vendosura nga qeveria që kanë kufizuar veprimtarinë e turizmit, qysh nga orari policor ose ndalimi i muzikës, apo mbyllja e ambienteve të brendshme. Ne shpresojmë që të bëjmë një takim javës që vjen me ministrin e Turizmit dhe shpresojmë që të kemi një ulje të taksave vendore, pasi përderisa është bllokuar aktiviteti i këtyre subjekteve nuk ka pse merret taksë. Turizmi është një industri me kosto të lartë dhe ka krijuar shumë probleme, pasi kemi vështirësi për sigurimin e fuqisë punëtore. Shumë prej tyre kanë zënë punë në vendet e rajonit, në kohën që në vendin tonë nuk kishin mundësi që të gjenin punë.
