Efektivi i Antidrogës së Durrësit prej 6 muajsh nën hetim nga SHÇBA, organizonte shpërndarësit

Hetimi për specialistin e Antidrogës, Edvin Sinani, i cili u pezullua nga dertyra me dyshimin se ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës në Durrës ka nisur prej 6 muajsh nga SHÇBA.

Dyshimet e këtij institucioni erdhën pas arrestimeve të grupeve që shpërndanin drogë në qytet, ku pas hetimeve u zbulua se edhe një efektiv i policisë është i përfshirë.

Burimet bëjnë me dije se roli i Sinanit si pjesë e këtyre grupeve erdhi pas dëshmisë së disa personave të arrestuar.

SHÇBA pritet të zgjerojë hetimet e saj pasi ka dyshime të arsyeshme se specialisti i Antidrogës nuk vepronte i vetëm.

Një ditë më parë, SHÇBA njoftoi për pezullimin nga detyra të efektivit të Antidrogës së policisë së Durrësit, Edvin Sinani.

Ky punonjës policie dyshohet se organizonte shpërndarësit e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër i jepnin informacione për grupet rivale me qëllim goditjen e tyre nga ana e punonjësve të policisë.

Mbi specialistin e Antidrogës së Durrësit rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës" por mundet që akuza të ndryshojë në varësi të hetimeve që po kryen SHÇBA.