Cilësia e ujit në Tiranë jashtë parametrave/ Matlija: Çdo konsumator mund të kërkojë dëmshpërblim

Uji me të cilën konsumohet Tirana është i pakonsumueshëm dhe i dëmshëm për shëndetin.

Ka qenë Gjykata Administrative e Tiranës, e cila është  shprehur me vendim që cilësia e ujit që furnizohet Tirana, është jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumatorit.

Sipas avokatit Dorian Matlija, akt-padia është bërë pasi në zona të ndryshme të Tiranës, niveli i baktereve në zona të ndryshme të Tiranës, në analizat e ujit të vitit 2017 kanë qenë më shumë se norma e lejuar sipas rregullores për ujin e pijshëm.

“Vendimi shumë i drejtë, nuk është thjesht se është jashtë parametrave, por problemi më i madh është se janë disa parametra që nuk maten fare, dhe kjo ka qenë një nga shtysat se përse u ngrit kjo padi. Pra për të detyruar ujësjellësin, jo vetëm që të njoftojë banorët e Tiranës, që uji është i papijshëm, por edhe të masë parametrat që nuk i kanë matur kurrë.”

Sipas avokatit, nëse vendimi merr formë të prerë çdo konsumator mund të kërkojë dëmshpërblim kur mendon se uji është jashtë parametrave.

“Të gjithë konsumatorët tashmë kanë rrugën e lirë që të shkojnë në Gjykatë, të kërkojnë dhe faturat e ujësjllellësit. Por mund të kërkosh vetëm shpërblimet e dëmit, vetëm për dy vitet e fundit. “

Qytetarët thonë se prej vitesh nuk e konsumojnë ujin, dhe se e përdorin vetëm për larjen e rrobave.

“Unë se pi, e blejë. Ne e blejmë ujin, ujin që vjen nga çezma e përdorim vetëm për t’u larë dhe për të larë rrobat. E përdorim për të gatuar.”