Mos dekretimi i Cakajt nga Meta, Gjykata Kushtetuese merr pjesërisht në shqyrtim kërkesën e Ramës
Gjykata Kushtetuese është shprehur në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes qeverisë dhe presidentit lidhur me procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. Togat e zeza shprehen se në këtë procedurë të trija institucionet duhet të jenë luajale dhe bashkëpunuese, duke përfshirë dhe pa përjashtuar njëra-tjetrën.
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë fund përplasjes presidencë-kryeministri për dekretimin e ministrave pas konfliktit të nisur pas rrëzimit të emrit të Gent Cakajt në detyrën e kryediplomatit.
Pas më shumë se dy vitesh nga kërkesa e kreut të qeverisë Edi Rama trupa më e lartë e drejtësisë në Shqipëri shpehet se të tre institucionet e larta të shtetit duhet të bashkëpunojnë dhe të jenë luajale në formimin e qeverisë, duke kërkuar dialog mes palëve.
"Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve."
Neni 98 i Kushtetutës shprehet se Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
Për këtë pikë përfaqësuesi i qeverisë ka deklaruar se kjo e bën një akt solem firmën e Presidentit, duke pretenduar se nuk ka të drejtë të kthejë emrin e Kryeministrit.
Por Gjykata Kushtetuese në njoftimin për vendimin e ndan kompetencën mes tre institucioneve, Kuvend, Kryeministri e Presidencë.
"Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme. Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion. Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi".
Po ashtu trupa prej 7 anëtarësh deklaron se ka pranuar pjesërisht kërkesën e Kryeministrit, por nuk ka dhënë sqarim të plotë se cila nga palët ka të drejtë.
E për këtë do të duhet të pritet zbardhja e plotë e arësyetimit të vendimit lidhur me konfliktin mes qeverisë dhe kreut të shtetit.
Njoftimi i plotë i Gjykatës
"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri, VENDOSI:
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
- Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
- Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
- Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
- Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
- Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
- Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar."
