Raporti: Sektori i ndërtimit në Shqipëri një "lavatriçe" për pastrimin e parave të pista

Sektori i ndërtimit në Shqipëri është kthyer në një lavatriçe për pastrimin e parave të pista.

Sipas studimit të "Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar", investimet në turizëm dhe lojëra fati janë gjithashtu të tjerë sektorë ku pastrohen fondet që sigurohen nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Në vëmendje sillet rasti i Tiranës, i cili mes viteve 2017-2020 përjetoi një bum ndërtimesh të shoqëruar me një rritje të madhe të çmimeve.
Në një kohë kur çmimi i një metër katror në Tiranë kushtonte rreth 861 euro në vitin 2017, tre vite më pas, ato i gjen thuajse dyfish më shtrenjtë.
Sipas tabelave të raportit, Tirana është kryeqyteti me çmimet më të larta të apartamenteve në rajon, që arrijnë deri në 4 mijë euro për metër katror për kullat e reja, ndërsa luhaten mes 1400-2000 euro në qendër të qytetit.

Ekspertët theksojnë se kjo rritje nuk vjen si pasojë e kërkesës së lartë apo rritjen e të ardhurave por si ndikim i ardhur kryesisht nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Të ardhurat e këtyre dy veprave panele rezultojnë të investuara në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.
Ndryshe nga kryeqytetit ku investimet janë realizuar në sektorin e ndërtimit, në qytetin bregdetar të Vlorës ato janë fokusuar tek turizmi.
Në studim pretendohet se grupet kriminale kanë ndërtuar hotele luksoze në bregdet, çka ka sjellë dhe rritjen e çmimeve.
Një metër katror që në vitin 2017 shitej me 600-700 euro, tashmë kapin vlerën e 1 mijë deri në 1 mijë e 200 euro në fillim të këtij viti.
Raporti thekson se të ardhurat e aktiviteteve të paligjshme që kryhen në rajon, pastrohen kryesisht po aty, ndërsa grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë duke gjeneruar të ardhura të shumta veçanërisht përmes trafikimit të drogës jashtë rajonit.