Konflikti në Gaza: Mediet amerikane citojnë diplomatët, armëpushimi "ndoshta të premten"

Izraeli dhe militantët e Gazës janë afër arritjes së armëpushimit edhe pse asnjëra palë nuk po resht së bombarduari tjetrën.

Sipas burimeve diplomatike të cituara nga mediet amerikane, ndërmjetësuesit e SHBA-së, Egjiptit dhe disa shteteve europiane kanë avancuar në bisedimet me grupin palestinez, Hamas, ndërsa Izraeli privatisht ka deklaruar se i ka përmbushur thuajse të gjithë objektivat e vet ushtarakë, ndaj është i hapur për armëpushimin.

Paqja tashmë mendohet se është çështje ditësh dhe mund të rivendoset që të premten.

"Përshkallëzimi i konfliktit po i shton vuajtjet në të dy krahët. Viktimat po rriten përditë, prandaj i përkrahim pa hezitim përpjekjet ndërkombëtare për armëpushim."

Përballja mes izraelitëve dhe militantëve të Hamasit ka lënë mbi 240 të vrarë.

Predhat izraelite vijuan ditën të godasin godina e tunele të militantëve.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Hajko Mas, tha gjatë vizitës në Tel-Aviv se reagimi i Izraelit është i justifikuar pasi as pala tjetër nuk po kursehet me mijëra raketat e veta ndaj rivalëve.

"Sot jam këtu t'ju siguroj se keni solidaritetin tonë. Theksojmë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet ndaj këtyre sulmeve kaq masive dhe të papranueshme."

Këshilli i Sigurimit u mblodh të mërkurën për të miratuar një rezolutë të përbashkët në kërkim të armëpushimit në Gazë, por Amerika sërish ushtroi veton për herë të katërt, me pretendimin se dokumenti mund të cenonte përpjekjet intensive diplomatike të palëve në terren.