Zbulohet Varreza në Apoloni, Neritan Ceka: Gërmimi më i madh i kohëve të fundit, do të spostohet rruga e Byepass-it

Një varrezë antike është zbuluar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, gjatë punimeve për krijimin e Byepass-it të Apolonisë. Sipas arkeologëve, varreza i përket shekullit të III të erës sonë, dhe pritet të nxjerrë detaje për organizimin e jetës në qytetin e lashtë të Apolonisë. Poshtë varrezës është gjetur dhe një furrë qeramike, që mendohet se i përket shekullit të katërt dhe pestë para erës sonë.
Arkeologu, Neritan Ceka e cilëson si një prej gërmimeve më të mëdha arkeologjike të viteve të fundit.


" Gërmimi më i madh i kohëve të fundit , që po realizohet në kuadër të projektit të ARSH-së për Byepass-in e Apolonisë. Jemi në murin rrethues të Apolonisë dhe çdo gjë që kanë zbuluar arkeologët ndodhet jashtë këtij muri. Pra jo brenda mureve rrethuese, por Apolonia antike zhvillohej dhe jashtë mureve rrethuese. Në fillim me furrat për prodhimin e qeramikës, ku kemi një nga kanalet kryesorë që është zbuluar nga arkeologët. Kanë zbuluar urat dhe ajo që duket pas janë strukturat e urave , që janë ndërtuar në në fillim të shekullit të katërt para erës sonë dhe e dyta në shekullin e tretë.


Pra kemi distancë 700 vjet . Nëse nuk do të kishin vepruar arkeologët, do ishte një histori e mbyllur. Si rrjedhim është marrë vendimi që në këtë pikë të spostohet rruga, të bëhet një hark. Pjesa tjetër do mbetet e zbuluar për t'i treguar vizitorëve që Apolonia është zhvilluar për 700 vjet dhe jashtë mureve të saj."