"Friends" seriali i famshëm televiziv rikthehet më 27 maj

Aktorja Jennifer Aniston ka konfirmuar lajmin për kthimin e edicionit special të serialit të famshëm televiziv “Friends”. Ajo ka ndarë një video me fansat në Intagram, ku lajmëron edhe premierën e ribashkimit të “Friends” që do të mbahet më 27 maj.
"Eshtë zyrtare! Premiera e Friends do të jepet në 27 maj në HBO Max. A mund të jemi më të emocionuar se kaq?"
“Friends Reunion” pritet të trajtojë takimin e rastësishëm të të gjithë personazheve dhe si ka ndryshuar jeta e tyre larg njëri-tjetrit. HBO Max e përshkroi ribashkimin si një “festë të jetës reale të pashkruar” të serisë televizive, e cila u xhirua në Kaliforni.

Ajo që dihet është se aktorët Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt Le Blanc, Lisa Kudrow, David Schwimmer dhe Matthew Perry nuk do të luajnë bazuar mbi një skenar apo karakteret që jemi mësuar t'i shohim përgjatë viteve.
"Jemi ne të gjithë kur mblidhemi bashkë. Gjë që nuk ndodh shpesh dhe nuk ka ndodhur kurrë para njerëzve të tjerë që prej 2004-ës kur ndaluam xhirimet."- u shpreh Lisa, e cila luante rolin shumë të famshëm të Phoebe Buffay.
Në këtë prodhim do të shfaqen plot yje si David Beckham, Justin Bieber, BTS, James Corden, Cindy Crawford, Cara Delevingne, Lady Gaga, Elliott Gould, Reese Witherspoon etj.