Ekspozita e skllavërisë, objekte që dikur përdoreshin për të ndëshkuar skllevërit ekspozohen në muze

Dhjetëra objekte që dikur përdoreshin për të ndëshkuar skllevërit janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar Holandez, në Amsterdam. Ekspozita historike mbi skllavërinë, nxjerr në pah të kaluarën e errët koloniale të Hollandës.

Duke u përqëndruar në historitë e 10 personave, duke filluar nga njerëzit e skllavëruar te pronarët e skllevërve, shfaqja mbulon 250 vjet përfshirje hollandeze në skllavëri në Suriname, Brazil, Karaibe, Azi dhe Afrikën e Jugut.

 “E kaluara koloniale është një element i rëndësishëm në historinë tonë kombëtare," tha AFP Valika Smeulders, kreu i departamentit të Historisë.

Kuratorët në muzeun e Amsterdamit thonë se duan të hapin një kapitull të ri, me disktutime rreth një periudhe të dhimbshme në historinë e vendit, ndikuar edhe nga reagimet e shkaktuara nga lëvizja “Black Lives Matter” ,vitin e kaluar.

Në shenjë reflektimi, do të jetë Mbreti Hollandez Willem-Alexander që do të çelë zyrtarisht ekspozitën. Ndërsa për publikun, ekspozita do të hapet kur të hiqen masat e koronavirusit për muzetë.