Kurti paraqet programin qeverisës, opozita e pret me kritika

Opozita në Kosovë e ka pritur me kritika planin qeverisës të kryeministrit Albin Kurti për katër vitet e ardhshme.

Kurti premtoi të hënën një model shoqërie të shanseve të barabarta, më demokratike, ekonomi më formale, veting në sistemin e drejtësisë dhe orientimin sipas shinave të Bashkimit Europian dhe NATO-s.

“Orientimet tona janë të qarta për integrim në NATO dhe BE. Aleanca me ShBA do të thellohet mbi bazën e vlerave të përbashkëta dhe forca jonë e sigurisë do të vazhdojë të forcojë kapacitetet për ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale. Anëtarësimi në BE mbetet prioritet që nuk duhet të zëvendësohet dhe ngadalësohet. Zgjidhja e çështjeve të hapura me Serbinë do të bëhet përmes dialogut parimor. Kosova e pranon dialogun si palë e barabartë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura sikurse zbardhja e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur me dhunë, dëmet dhe borxhet e luftës, repreacionet. Kosova nuk pranon dhe nuk do të marrë pjesë ku trajtohet si temë e dialogut dhe jo si palë," tha Kurti.

Qeveria kosovare ka edhe prioritete, më së pari në aspektin shëndetësor dhe vaksinimin.

“Prioriteti më urgjent është menaxhimi i pandemisë me marrjen e mandatit ne kemi hartuar pa humbur kohë një plan i cili synonte të ndalte trendin e rrezikshëm që trashëguam të rritjes së infektimeve dhe vdekjeve. Pastaj të kthejmë mbrapsht këtë trend më synimin e eliminimit të vdekjeve si pasojë e virusit Covid 19. Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 77 mijë e 400 vaksina. Derisa, deri në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142 mijë vaksina të reja që gjithsej arrijnë në 216 mijë vaksina. Me këto dhe pritjet që kemi në muajin qershor jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60 përqind të popullsisë në grup moshën e atyre që duhen të vaksinohen deri në fundin e vitit 2021.”

Ndërsa nga opozita, Kurti pret që të pajtohen politikisht për qëndrimin ndaj Serbisë.

“Marrëveshjen për asociacionin, për fusnotën, për gjykatat dhe universitetin paralel në veri të Mitrovicës, hapja e statusit, krijimi ne diskursit territoriale që ju na i latë trashëgimi. Nëse i keni rënë pishman për këto marrëveshje, atëherë ejani të punojmë së bashku të përmirësojmë," tha Kurti.

Dy liderët e partive kryesore opozitare, Enver Hoxhaj i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së e quajtën populist dhe sipërfaqësor planprogramin e Kurtit.

“Programin që e keni para jush është program i cili nuk ka plan veprimi, nuk ka fare plan veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete, nuk ka afate kohore, nuk ka buxhet, nuk dihen as institucionet përgjegjëse të cilat do të duhej t’i zbatojnë këto objektiva," tha Hoxhaj.

“Pjesa më shqetësuese për mua, dhe për LDK-në në përgjithësi mbetet prezantimi i tre masave puro të majta, puro socialiste, që në thelb kanë ndërmend ta forcojnë madhësinë e shtetit në ekonomi, rritjen e burokracisë e keq shfrytëzimin e parasë publike për mirëmbajtjen e ndërmarrjeve të destinuara për humbje. Pra, ky program i majtë në skajshmëri që synon ta shtojë rolin e pronës publike në ekonomi, nuk ka kuptuar asgjë për dështimet e 20 vjetëve të fundit,” tha Abdixhiku.

Mungesa e një plani qeverisës ishte një nga kritikat që e shoqëronin prej javësh kryeministrin Kurti, që prej riardhjes në post më 22 mars.

Të hënën, debatet serioze u pasuan edhe me momente ilariteti në sallë, kur pas renditjes së pikave të programit, Kurti përshkroi me nga një fjali edhe profilin e të gjithë ministrave të tij.