Presidenti çek i kërkon falje Vuçiç për bombardimin e ish-Jugosllavisë
Presidenti çek Milos Zeman i ka kërkuar falje homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç, për bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999, tha zëdhënësi i presidentit të martën më 18 maj.
“Dua t’i kërkoj falje popullit serb”, tha Zeman në prani të Vuçiçit.
Presidenti serb, Vuçiç aktualisht ndodhet për një vizitë në Republikën Çeke.
"Presidenti i republikës Milos Zeman, në prani të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, personalisht dhe publikisht kërkoi falje për bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999," u tha Jiri Ovcacek gazetarëve, duke shtuar se Zeman gjithashtu kishte kërkuar falje nga populli serb.
“Populli serb nuk do t’i harrojë këto fjalë të Zemanit. Do të jemi përjetësisht mirënjohës, sepse këtë që e tha ai rreth bombardimeve, nuk e ka thënë askush tjetër”, tha Vuçiç.
Republika Çeke iu bashkua NATO-n disa ditë para se aleanca të fillonte bombardimin e Jugosllavisë. Zeman ishte kryeministri çek në atë kohë, raportojnë mediet e huaja.
