Pas një koncerti që zgjat pak fshihen orë të tëra piano brenda 4 mureve, rrëfimi i pianistes kosovare

Anila Aliu është një pianiste nga nga Kosova e lindur në vitin 2000. Karriera e saj filloi që në moshën 7 vjeçare duke triumfuar qysh në paraqitjet e para skenike. Anila është fituese e shumëfishtë e çmimeve të para, në Kosovë , Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Lituani, Luksemburg, Francë dhe shume vende tjera.
Ndër çmimet e saj kryesore janë çmimi solist me orkestrën e filarmonisë së Kosovës, çmimi i pjesëmarjes në garat ndërkombëtare në Lituani, çmimi solist me orkestrën ballkanike në Itali dhe shumë tjerë.

"Talentin për muzikën e kam shfaqur në fëmijëri të hershme, mirëpo me pianon kam filluar që në moshën shtatë vjeçare. Muzika ka qenë gjithmonë e pranishme në familjen tonë. Në moshën shtatë, tetë vjeçare fillova të luaja në piano dhe menjëherë e panë progresin tim, pasionin dhe dashurinë që kisha për ketë instrument. Fillimisht interpretova në skenat kosovare dhe më pas edhe në skenat ndërkombëtare ", shprehet pianistja për "Ditë e Re".

Ajo rrëfen për eksperiencat e saj në skenat ndërkombëtare.
"Nuk është e lehtë të performosh në skenat ndërkombëtare, por falë ambicies, pasionit për këtë instrument dhe punës së pandalshme ia kam dalë. Nuk kam qenë kurrë e kënaqur, sa do çmime që merrja, mezi prisja për sfidën e radhës. Është një karakteristikë e imja, përballja me sfidat. Ishte dhe dëshira ime për të njohur artistët. Me ndihmën e prindërve dhe shkollës, unë mora pjesë më pas në skenat ndërkombëtare. Një ndër sukseset më të rëndësishme të karrierës time janë këto të fundit, edhe pse nuk isha atje fizikisht, arrita në një garë ndërkombëtare me konkurrente nga katër anët e botës, ku fitova çmimin e parë. Pastaj çmim i Bankogut "Grand Award", ku nuk mund të përshkruaj me fjalë ndjenjën kur pashë flamurin e Kosovës të radhitet me flamujt e shteteve më të forta."

Ajo thotë se pas melodive që prodhon fshihen orë të tëra brenda katër mureve në një dhomë ku ajo ushtrohet çdo ditë. "Nëse një ditë unë nuk ushtroj, ajo vërehet. Mundohem që mos të kalojë asnjë ditë pa ushtruar, të paktën dy me tre orë në ditë. Me të vërtetë ia vlejnë të gjitha. Nuk jam dorëzuar asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve. Përgatitesh me vite të tëra për një performancë. Ke vetëm një mundësi për të treguar të gjithë potencialin tënd, në një koncert që zgjat pak. Mirëpo ndjenjat dhe komunikimi me audiencën ia vlejnë", thotë pianisjta për Ditë e Re.