Vlerësohen artistët me ngjyrë në SHBA, Jean-Michel Basquiat i pari artist me dy vepra në ankand
Një fenomen i rrallë po vihet re në Amerikë, prej vitesh tashmë: artistët afroamerikanë po vlerësohen më shumë për veprat e tyre. Zhan-Mishel Baskja do të bëhet të martën i pari amerikan me ngjyrë që do të dalë me dy vepra në ankandet kryesore të Nju-Jorkut.
Amerika dhe bota mbarë reflektoi vitin e kaluar për protestat mbi racizmin ndaj afroamerikanëve.
Shoqëria duket se është ndërgjegjësuar dhe në ditët në vijim, veprat e artistëve me ngjyrë do të dalin në ankandet e Nju-Jorkut kundrejt vlerave që arrijnë disa dhjetëra milionë dollarë.
Senford Bigërs, një skulptor me ngjyrë që sapo ka instaluar veprën e tij prej bronzi "Orakulli", në Qendrën Rokefeller, thotë se kjo pritej.
"Unë e shoh këtë si një korrigjim të të kaluarës. Për shumë vite vepra e tij u injorua edhe pse për dekada me radhë qe fantastike. Mendoj se vlerësimi për të po rritej që përpara ngjarjeve të verës së kaluar, por edhe ato ndikuan."
Për Një-Jorkun kjo javë shënon sezonin e shitjeve të pranverës.
Të martën e të mërkurën siparin do e hapë si asnjëherë artisti i ndjerë dhe piktori me ngjyrë, Zhan-Mishel Baskja, i lindur në Amerikë por me prejardhje nga Haiti dhe Puerto-Rikoja.
Pikturat e Baskjasë përfshijnë njërën pjesë të trilogjisë së tij me kafka të vitit 1983, dhe pikturën e vitit 1982, "Versus Medici".
"Sigurisht që kemi pasur një rikalibrim të tregut për vepra dhe artistë të injoruar në 100 vitet e shkuara. Këta mund të jenë artistë me ngjyrë, artiste gra, pra artistë që bota e artit prej natyrës së saj i ka margjinalizuar."
Në shitje dhe me vlerësim disafish do të jenë edhe pikturat e artistit ekspresionist, Robert Kolskot, i cili i ka trajtuar gjerësisht temat e historisë dhe identitetit të afroamerikanëve.
"Njerëzit duan të koleksionojnë vepra artistike që reflektojnë epokën tonë. Mendoj se këta artistë dhe të tjerë të rinj po e bëjnë këtë, po provokojnë debate jo të lehta, me mënyra figurative dhe me komponentë narrativë."
Artistët modernë afroamerikanë që kanë bërë vetë emër, si Xhej-Z, Shon Kombs, Farel Uilliams apo Kanie Uest janë ndër koleksionuesit e veprave të artistëve me ngjyrë që këto tri vitet e fundit kanë ndikuar në rritjen e vlerës së këtyre veprave në ankandet amerikane.



