"Do votosh këtë apo atë?" Revolta e aktorit: Nuk jam ndjerë asnjëherë i dhunuar dhe survejuar si në këto zgjedhje
Shumë qytetarë shqiptarë gjatë fushatës zgjedhore u bombarduan me telefonata nga shtabet elektorale të partive, për te shprehur preferencën e tyre politike, një fenomen mjaft shqetësues për të gjithë.
Aktori, Gentian Zenelaj, thotë për "Tempora", se nuk është ndjerë kurrë më parë i survejuar, i dhunuar dhe i përgjuar si në këto zgjedhje.
Ai apelon se duhet të ngrihet një lëvizje qytetare, për të denoncuar cënimin e privatësisë.
"Nuk e kam ndjerë ndonjëherë veten i survejuar, i telefonuar, i dhunuar, i përgjuar, i ndjekur dhe i sulmuar si në këto zgjedhje. Duhet të fillojë një lëvizje qytetare për të denoncuar ndërhyrjen në jetën private. Qoftë edhe ato 60 telefonata që unë kam marrë: do ta votosh atë apo këtë? Si mund ta pyesësh një njeri në telefon dhe t'i kërkosh se për kë do votosh? Është një nga shkeljet më absurde që kam dëgjuar. Është shkelje e privatësisë. Telefonata pa fund, në 11 të darkës, 6 të mëngjesit. Minimumi katër muaj para, shqiptarët e kapin veten nëpër lokale: obobo po fillojnë zgjedhjet do ketë rrëmujëra, do ketë incidente, do ketë vrasje, do ketë plagosje. Jam i bindur që kjo nuk ndodh në asnjë vend të rajonit. Kjo është ajo që e dekanton. Politika po dekanton (po bie poshtë). "
Ai shton se "fajtor" për situatën politike në Shqipëri është vetë populli shqiptar dhe thekson se zgjidhja është vetëm te ne.
"Zgjidhjen e shikoj vetëm te ne. Unë jam nga ata që them: fajtor jemi ne. Ne kemi vendosur të shohim dramën e tyre, ne jemi publiku. Kjo është një shfaqje e shëmtuar që kemi vendosur ta shohim. Ky është gabimi jonë. Nuk është mirë ta them, sepse bëja lobim që njerëzit të votojnë. Sot me keqardhje them që kam gabuar, sepse akoma vota nuk është e drejt, nuk është e lirë, nuk është e fshehtë. Është e njëjta histori që përsëritet. Ne kemi vendosur ta shohim këtë shfaqje. Unë them që duhet ta braktisur shfaqja, sepse ne jemi në vend numëror."
Gjendet peshku i pazakontë në plazhin e Kalifornisë
12 Maj, 17:54



