Vathi: Shqipëria të promovohet si e sigurt te vendet e huaja për turistët  

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve shqiptarë u shpreh se industria e turizmit është industria më e goditur nga pandemia.

Sipas Vathit, Shqipëria ka rezultate shumë të mira në raport me pandeminë, por akoma nuk është në gjendje që ta promovojë vendin si të sigurt te operatorët e huaj.

Vathi: Industria e turizmit është industria më e goditur nga pandemia. Shumë agjenci kanë pësuar një rënie të madhe të të ardhurave. Tani të paktën po shohim një dritë jeshile, por nuk e dimë se sa do të zgjasë ajo hapje e shumëdëshiruar. Vaksinimi po ecën me ritme të shpejta, por nuk është se vaksinimi na fut te vendet jeshile për këtë çështje. Deri tani është folur për lëvizje brenda BE-së dhe shumë vende kanë filluar që të përgatisin një sistem me zona rreziku të kuqe, portokalli dhe jeshile.

Ne kemi rezultate shumë të mira në raport me pandeminë, por nuk jemi akoma në gjendje që ta promovojmë vendin si të sigurt te operatorët e huaj. Është shumë urgjente kjo diplomaci te vendet e huaja.  Kjo është përgjegjësi e ministrisë së Turizmit. Unë do të doja që ministri i Turizmit të mos rrinte asnjë ditë në Shqipëri, por ta promovonte dhe ta prezantonte vendin tonë të agjencitë e huaja. Ne synojmë që të jemi kampion në turizëm, por një gjë e tillë do të kërkonte një strategji shumë të madhe dhe struktura. Mund të ndërtosh aeroporte, por ku do t'i akomodosh njerëzit?

Vathi shtoi se vendi është hapur qysh në qershorin e vitit të kaluar duke mos pasur masa ndaluese me teste apo karantinë, deri më tani nuk kemi përfituar turistë me këto masa.

Vathi: Ne e shohim përgatitjen tonë me optimizëm, por nuk e dimë se kush do të vijë. Ne jemi hapur qysh në qershorin e vitit të kaluar duke mos pasur masa ndaluese me teste apo karantinë, por deri më tani nuk kemi përfituar turistë me këto masa, sepse ka masa penguese nga vetë vendet nga ku vijnë turistët. Nga ana tjetër, ora policore vërtetë pengon, por kjo kur të kanë ardhur turistët në vend, prandaj fokusi momental duhet të jetë promovimi i Shqipërisë si një vendi sigurt për turistët.