Prostitucion në hotel, arrestohen katër persona në Pogradec, mes tyre pronari dhe administratorja

Policia ka goditur veprimtarinë e shfrytëzimit të  të prostitucionit në një hotel në Pogradec. Për pasojë janë arrestuar katër persona, mes tyre pronari dhe administratorja e hotelit.

Sipas bluve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve R. C., 35 vjeç, M. K., 34 vjeçe, E. Z., 36 vjeçe dhe M. S., 17 vjeçe, banues në Pogradec.

Në bazë të punës hetimore disajavore, provave të grumbulluara dhe kontrollit të ushtruar në një subjekt bar-kafe dhe hotel në Tushemisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit R. C., u arrit të  dokumentohej se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasen M. K. (në rolin e administratores) dhe dy shtetaset e tjera, në mënyrë të organizuar lejonin dhe ushtronin veprimtarinë e prostitucionit në ambientet e këtij hoteli. 

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasja M. K. nuk kishte kryer regjistrimin e subjektit pranë organeve tatimore.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pogradec, për veprat penale "Prostitucioni", "Shfrytëzimi i prostitucionit" kryer në bashkëpunim, "Mbajtja e lokaleve për prostitucion" dhe "Fshehja e të ardhurave”.