"Taksisti" sekuestron 900 gram kokainë në Durrës, në pranga 4 persona
Policia e Durrësit ka vënë në pranga 4 persona në kuadër të operacionit policor antidrogë i koduar "Taksisti."
Sipas njoftimit të policisë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Erges Shehi, 30 vjeç, Vilson Mimini, 29 vjeç (i dënuar me pare me korrupsion aktiv), Armando Gjoka, 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe Agron Baci, 52 vjeç, banues në Tiranë.
Pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi Armando Gjoka kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin Agron Baci (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë, policia organizoi punën për kapjen e tyre.
Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit Erges Shehi dhe Vilson Mimini, të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes.
Gjate tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë.
Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë Armando Gjoka dhe Agron Baçi, të cilët do blinin lëndën narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
