Mesazhi i Metës për Ditën e Europës: Koha të çlirojmë Shqipërinë nga çdo formë e regjimeve hibride
Në Ditën e Europës, presidenti Ilir Meta thotë se vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Në një mesazh për këtë të ditë të shënuar, Meta kujton se shekuj më vonë, Shqipëria u bë viktima e parë e nazifashizmit në Europë, por u rreshtua në anën e duhur të historisë, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga vetja dhe vijuar me çlirimin e popujve të tjerë, në mënyrë që të vinte 9 maji i 1945.
"E izoluar dhe e harruar për dekada nën regjimin më të egër diktatorial të kontinentit, Shqipëria e përqafoi fuqimisht mesazhin e 9 Majit me përmbysjen e atij regjimi shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t'ju përkushtuar në emër të tyre dhe të dinjitetit njerëzor, të paqes dhe progresit shoqëror, të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian".
Kreu i Shtetit thotë se në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit '90 "E duam Shqipërinë, si gjithë Europa", por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa.
E kjo sipas tij do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t'i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si "dimri demografik", dramën më të madhe të vendit.
"Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gëzuar Ditën e Europës!" përfundon mesazhi i Metës.
Xhaçka: Kemi të gjithë vullnetin politik për të mundësuar integrimin në BE
Edhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, me anë të një videomesazhi shpreh besimin se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit do të jetë në Europë dhe se nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari.
Xhaçka kujton se rrugëtimi i BE në këto 7 dekada nuk ka qenë një fushë me lule dhe se projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit por thekson se Shqipëria ka të gjithë vullnetin politik për të punuar për integrimin në BE.
"71 vjet më parë, Robert Schuman, prezantoi deklaratën e tij historike, ku propozohej krijimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ishte një hap i guximshëm dhe largpamës, të cilin Schuman dhe vizionarët e atij që sot e njohim si “Bashkimi Evropian”, e ndërmorën për të hedhur themelet e një bashkëpunimi politik dhe ekonomik, të bazuar mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin, dëshirën dhe paqen afat-gjatë për të rindërtuar së bashku Evropën e dërrmuar nga lufta, në mënyrë që Kontinenti të mos njihte më kurrë, si më parë, konflikte të përgjakshme.
Sot, ajo ëndërr dhe ai vizion vazhdon edhe më aktuale se kurrë më parë. Historia jonë e përbashkët na mëson se paqja dhe mirëqenia dhe mënyra e të jetuarit sipas standardeve më të larta dhe vetë demokracia që i prodhon ato, nuk mund të merren të mirëqena. Deviza e kohës sonë, edhe në këtë pjesë me zemër të re të kontinentit të vjetër, Shqipërisë, mbetet vizioni i baballarëve të Unionit, i mbështetur në solidaritet dhe veprim të përbashkët, për ta çuar përpara këtë projekt politik, duke përfshirë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, me një perspektivë të qartë në BE, duke e bërë kështu triumfues projektin në të gjithë kontinentin.
Sot, ne jemi më afër se kurrë objektivit tonë strategjik të anëtarësimit përmes procesit të hapjes së negociatave. Shqipëria dhe qeveria jonë ka arritur që përmes përpjekjeve titanike, të përmbushjen të gjitha prioritetet dhe kërkesave specifike, ku më madhorja është ajo e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Këto janë realizuar falë edhe konsensusit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.
Koha ka dëshmuar se rrugëtimi i BE në këto shtatë dekada, nuk ka qenë një fushë me lule. Projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Për këtë, sot, në të gjitha strukturat institucionale evropiane është hedhur në tryezën e debatit dhe diskutimeve tema mbi të ardhmen e Evropës, e cila synon të shtjellojë të gjithë problematikën dhe modernizimin e Unionit.
Ne jemi besimplotë se edhe vetë e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe e rajonit nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari. Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të punuar për këtë objektiv dhe realizimi i tij do të vijë natyrshëm si përmbushje e amanetit të paraardhësve tanë dhe detyrim ndaj brezave të rinj.
Stafeta jonë është në duar të sigurta, dhe këtu kam parasysh asetin tonë më të vyer kombëtar, gjeneratën e të rinjve dhe të rejave që do ta lartësojnë edhe më tej emrin, rolin dhe kontributin e Shqipërisë në familjen evropiane.Gëzuar Ditën e Europës!"
Rama uron ditën e Europës me një video
Ndërsa kryeministri Edi Rama u uroi ndjekësve të tij Ditën e Europës me një video ku tregohet se si BE funksionon si një organizatë bashkëpunuese mes vendesh dhe mbështetëse për njëri-tjetrin.

