Mbijetesa e bizneseve të vogla, Buxhuku: Kthimi në normalitet varet nga sezoni turistik

Shifrat në rënie të rasteve me COVID janë shpresëdhënëse edhe për sipërmarrësit, sipas të cilëve situatën më të keqe e kemi lënë pas. Por për shkak të pandemisë shumë biznese u detyruan të punojnë me orare të reduktuara, e disa të tjera u mbyllën për disa kohë. Efektet e izolimit ndihen ende, por pronarët e bizneseve shpresojnë ende në rikthimin e normalitetit.

Bizneset e vogla, edhe pse ka kaluar afërsisht një vit nga izolimi prej pandemisë, ende i ndiejnë pasojat financiare.

Mjafton të shohësh në rrugët e kryeqytetit.

Ka shumë qepena të mbyllura me mbishkrimet ‘jepet me qira’ apo ‘shitet’.

Për sipërmarrësit, 2020-ta, ishte një vit mbijetesë.

Ata shpresojnë që sezoni i verës t'i rikthejë në normalitet.

Por për kreun e Konfindustrisë, Gjergj Buxhukun jemi ende larg.

"Statistikat dhe kontaktet që ne kemi, tregojnë se vështirësitë janë të ndjeshme në ato biznese që janë prekur nga pandemia."

Paketat financiare të akorduara nga shteti nuk ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë krizës.

"Ndihma që u dha nga qeveria shqiptare ishte e pakët, por me një efekt pozitiv. Sa më shumë të zgjaten këto do të lehtësonin akoma më tej edhe qytetarët."

Sipas Buxhukut, lehtësimi për ekonominë dhe bizneset do të varet nga mbarëvajtja e sezonit turistik.

"Unë parashikoj që nëse do të kemi një sezon turistik të suksesshëm dhe një qëndrueshmëri politike, mendoj se do të kemi rezultate pozitive."