Këta janë tre pjesëtarët e familjes nga Gjilani, humbën jetën pasi konsumuan kërpudha në Gjirin e Lalzit, edhe qeni u gjet i ngordhur
Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në Durrës, ku 3 anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani kanë vdekur pasi janë helmuar nga kërpurdhat të cilat i kishin mbledhur dhe gatuar në Gjirë të Lalëzit. Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti kanë ndërruar jetë në një spital në Tiranë, pasi gjendja e tyre është përkeqësuar pak orë pas ngrënies së kërpudhave, ndërsa policia ka njoftuar se ka proceduar dy mjekë të Manzes për mjekim të pakujdesshëm pasi ishin të parët që kanë pasur kontakt me familjen nga Kosova.
Kishin ardhur në Shqipëri për të kaluar pushimet e fundjavës, por panë vdekjen më sy teksa njëri pas tjetrit ndërruan jetë brenda 2 ditëve.
Kjo është historia tragjike e familjes Haliti nga Gjilani i Kosovës.
Elfete, Afrim e Ferdinaze Haliti përkatësisht 78, 56 dhe 57 vjeç po qëndronin në këtë shtëpi në Gjirë të Lalëzit, që e kishin blerë disa kohë më parë.
Ata po shijonin ditët me diell në bregdetin e Adriatikut, ndërsa me datën 6 të këtij muaji, kanë mbledhur disa kërpudha që më pas i kanë gatuar në shtëpi.
Menjëherë pas konsumimit të tyre, ato kanë shfaqur shenja helmimi, dhe janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore në Manëz, ku edhe kanë marrë një mjekim paraprak por që janë kthyer sërish në shtëpi.
Menjëherë sapo janë kthyer, gjendja e tyre është përkeqësuar ndërsa në shtëpinë e tyre ka mbërritur ambulanca e Urgjencës Kombëtare, stafi i së cilës ka konstuar menjëherë gjendjen e rëndë të familjarëve, dhe kanë gjetur edhe qenin e familjes të ngordhur.
Të tre janë dërguar në Urgjencën e Durrësit, por sipas informacioneve të Ora News brenda spitalit të qytetit bregdetar, në momentin që ato kanë mbërritur në urgjencë kanë qenë pa puls, pa tension dhe me shok hypovolemik, dhe janë transportuar menjëherë në Tiranë.
Pak orë më vonë, me datën 7 nga gjendja e rëndë ka ndërruar jetë Elfete Haliti 78 vjeçare, dhe më pas biri i saj Afrim Haliti 56 vjeç. Një ditë më vonë me datën 8 helmimit nuk i mbijetoj as Bashkëshortja e Afrimit, Ferdinaze Haliti 57 vjeç.
Në një njoftim të policisë së Durrësit, mësohet se për këtë ngjarje janë proceduar penalisht për mjekim të pakujdesshëm dy mjekë të Qendrës Shëndetësore të Manzës, që ishin të parët që kishin kontakt me anëtarët e familjes Haliti.

