Lojtari dhunon arbitrin në Kategorinë e Dytë, FSHF dënon ashpër ngjarjen
Skenat e dhunës në futboll duket se nuk ndalen asnjëherë dhe në Shqipëri janë rikthyer e këtë radhë autorët nuk janë nga jashtë por një lojtar. Gjatë ndeshjes Sopoti-Mirdita, e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë së Dytë, e zhvilluar në Cërrik, një lojtar i ekipit mik në minutën e 44’ kaloi çdo limit teksa ka goditur arbitrin e takimit, Klajdi Qëndraj. Ndeshja u tensionua aq shumë saqë u ndërpre përfundimisht ndërsa policia arrestoi pas disa minutash autorin, futbollistin e Mirditës.
Menjëherë FSHF ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes duke paralajmëruar edhe mbledhjen me urgjencë të organeve të drejtësisë sportive ndërsa bëri të ditur se akte të tilla nuk kanë vend në futboll.
Reagimi i plotë i FSHF për ngjarjen në Cërrik:
“Federata Shqiptare e Futbollit dënon incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes KF Sopoti-KF Mirdita, e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe që luhej në stadiumin e Cërrikut.
Në minutën e 44-t, një lojtar i Mirditës ka goditur gjyqtarin e takimit Klajdi Qëndraj, duke sjellë edhe ndërprerjen e takimit.
Organet e drejtësisë sportive do të mblidhen me urgjencë për këtë ngjarje kaq të rëndë, e cila njollos gjithë futbollin.
I bëjmë thirrje drejtuesve të klubeve dhe lojtarëve të respektojnë rregullat “fair play”, të shmangin dhe të parandalojnë akte të tilla të dhunshme, që nuk duhet kurrsesi të kenë vend në futboll”.
