"Policët u fshehën ferrave pas zgjedhjeve...", Murrizi kërkon faljen e gjobave gjatë pandemisë

Deputeti, Myslim Murrizi, i kërkoi sot mazhorancës në Kuvend të gjitha gjobat e vendosura ndaj qytetarëve gjatë pandemisë dhe të rikthehen të gjitha patentat e hequra në këtë periudhë.

Në fjalën e tij për ndryshimet në kodin rrugor, Murrizi u shpreh paramisht pro tyre por nuk e bind shumë fakti se kjo mund të parandalojë apo ulë  aksidentet rrugore, duke nënvizuar se kjo nuk bëhet me fushatë.

 “Ndryshimet që bëhen në kodin rrugor unë do të isha dakord që të kishim një kod të ri rrugor, një kod të BE që Shqipëria aspiron. Edhe kodet e tjera, jemi mësuar të bëjmë arnime sipas momentit. Ajo që shoh në këtë kod rrugor është ngritja e masave ndëshkuese, gati dyfish i disa kuntravajtave. Ulja e numrit të aksidenteve nuk bëhet me aksione apo me fushata.

Meqë jemi të kodi rrugor ftoj mazhorancën të merrte një nismë dhe të falte gjobat gjatë pandemisë dhe kthimin e patentave të atyre personave që janë penalizuar për dërgesë në spital të hallexhinjve që nuk kanë korresponduar me orën policore.

Do të ishte mirë që të gjitha lejet e drejtimit të pezulluara për këtë shkak, të vinte një nismë ligjore për amnisti. Edhe unë jam dakord që kodi rrugor të jetë i përqasur. Do të doja të ishte një kod i BE por gjithsesi shpreh votën time pro dhe pres nga mazhoranca për të dërguar një amendament për të falur gjobat gjatë pandemisë”, tha Murrizi.

Si shembull ai solli rastet kur gjate fushatës elektorale sipas tij nuk pati asnje kontroll dhe sapo mbaruan zgjedhjet, policia u vu në aksion për të gjobitur qytetarët.

"Gjatë fushatës elektorale asnjë polic në rrugë, asnjë dylbi, asnjë kamer. Pas procesit të votimit, aksion  i madh në çdo aks rrugor, policë që fshihen pas ferrave".