"Eskobari i Ballkanit", SPAK kërkon pushimin e hetimeve për Met Kananin
Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon pushimin e hetimeve per Met Kananin, i cilësuar si "Eskobari i Ballkanit".
Burime zyrtare nga Prokuroria e Posaçme bëjbe me dije se Kanani për të njëjtin fakt është dënuar edhe në shtetin turk dhe për këtë nuk mund të vazhdojnë hetimet.
Vendimi mësohet se ka ardhur me letërporosi para dy javësh, ku është dënuar me 30 vite burg. Ndërkohë SPAK vijon hetimin pasuror në bazë të ligjit Antimafia.
Kush është Met Kanani dhe arrestimi i tij në Turqi
Met Kanani u arrestua në mars të 2018 në Turqi, teksa mbikëqyrte ardhjen e ngarkesës përmes detit në brigjet pranë Bodrumit, bashkë me 10 persona të tjerë.
Operacioni i policisë turke u finalizua në qytetin e Muglas, ku në një magazinë janë konfiskuar 1.1 ton hashash me vlerë 53 milion euro.
Met Kanani cilësohet si “baron i madh i drogës”, pasi deri para arrestimit, kontrollonte rrugët kyçe të trafikut të kanabisit, heroinës dhe kokainës përmes Turqisë me destinacion vendet e BE.
Met Kanani shfrytëzonte vende si Shqipëria dhe Maqedonia për të dërguar drogën në Turqi. Rrugë kalimi ishin edhe Greqia me Italinë.
Ndërsa nga Afganistani trafikonte në Turqi heroinë dhe nga aty droga e fortë shpërndahej në tregun europian.

Sipas mediave në Turqi, Met Kanani është personi që ka tentuar të trafikojë në nëntor të 2017-së 1.6 ton kanabis që u kap nga Policia Greke pas një përleshje në det.
Ka qenë Met Kanani personi që dyshohet se ka tentuar të çojë në Greqi këtë sasi droge, ku njerëzit e tij janë përplasur me Policinë, aq sa u desh ndërhyrja edhe e një helikopteri nga ajri për të prangosur personat që ishin në bordin e anijes që po bënte trafikimin e kanabisit.
Pavarësisht se u kapën njerëzit e baronit të drogës, Met Kanani nuk u arrit të arrestohej dot nga Policia Greke në atë kohë. Grupi që kryente këtë linjë narkotrafiku kishte lidhje të forta edhe me trafikantë italianë e grekë.
Nga dosja e policisë greke për këtë çështje dilte përfshirja e një biznesmeni të fuqishëm grek si dhe e dy trafikantëve me shumë eksperiencë italianë. Met Kanani raportohet se kishte në duart e tij një pjesë të rëndësishme të rrugës ballkanike të trafikimit të drogës.
Sipas ekspertëve, nëpërmjet kësaj rruge, banda e tij dërgonte në Europë heroinën që vjen nga Afganistani, Irani dhe Turqia, teksa nga Europa merrte kanabis për tregun turk dhe pilula droge, të cilat i trafikonte kryesisht për në vendet arabe.

Goditja e Met Kananit dhe bandës së tij u konsiderua si ndërprerja e një prej rrugëve të trafikut më të madh të drogave të forta, ku si rrugë kalimi përdorej Turqia. E gjithë banda përbëhej nga 66 persona të kombësive të ndryshme.
