Infantino: SuperLiga, ide separatiste por kujdes me ndëshkimet
SuperLiga Europiane ishte një gabim sipas shumë tifozëve dhe drejtuesve të futbollit e gjithashtu edhe për Gianni Infantinon i cili ka reaguar për projektin e 12 klubeve europiane duke e quajtur një veprim të nxituar. Ai ndryshe nga Ceferin, shprehet kundër marrjes së masave ndëshkuese për ekipet që ideuan këtë projekt madje kërkon të shmanget apo të nxitet një përplasje mes palëve, mesazh indirekt ky per Ceferin.
“Disa veprime duhet të kenë pasoja dhe të gjithë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, por gjithmonë duhet të keni kujdes kur flisni për sanksione. Për cilat sanksione po flasim? Thuhet shpejt se është e nevojshme të ketë ndëshkime, por gjithashtu duhet të mendojmë për pasojat e sanksioneve të mundshme sepse kur ndëshkon një klub lojtarët, trajnerët, tifozët, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me të, gjithashtu ndëshkohen ", tha presidenti i FIFA-s në një intervistë përmes emailit për "L'Equipe ".
Numri 1 i qeverisë botërore të futbollit nuk u kursye në fjalë për të vlerësuar idenë e re si të gabuar dhe nga ana tjetër u shpreh i hapur për bisedime për projekte të reja në respekt të institucioneve dhe vlerave të futbollit.
“Krijimi i një Lige të mbyllur, 'separatiste' nuk është vetëm e papranueshme, por thjesht e paimagjinueshme në futboll. FIFA është plotësisht e hapur për të diskutuar projekte të reja me klubet e rëndësishme pasi e shikojmë të gjithë që futbolli ecën, ndryshon ndërsa gjithçka duhet të jetë në respekt të institucioneve dhe të merren parasysh vlerat që e bëjnë futbollin sportin më të ndjekur në botë” deklaroi Infantino.
Gjithashtu në intervistën e tij të gjatë, kreu i FIFA-s pohoi se duhet të bëhen ndryshime të mëdha për klubet ku mund të vihet një tavan për pagat, për merkaton, një numër maksimal ndeshjesh për një sezon dhe për të gjitha këto ai kërkoi edhe bashkëpunimin me UEFA-n, Ceferin dhe klubet e futbollit.
