Dëshmia në polici e burrit vrasës: I pata thënë se nuk do të ndahej prej meje, donte të më fuste në burg

Çdo detaj i ri që zbulohet tregon se vrasja e gruas 54-vjeçare nga bashkëshorti para gjykatës së Elbasanit ishte krim i paralajmëruar. Autori 58 vjeçar ka deklaruar se i kishte kërkuar gruas të mos shkonte në gjykatë për divorc, pasi ai nuk do ta lejonte kurrë.

Vrasja e 54-vjeçares, Liljana Buzo, në derë të gjykatës së Elbasanit ishte krim i paralajmëruar nga bashkëshorti ish-polic, ndërsa drejtësia nuk arriti ta shpëtojë.

Autori, Koço Buzo, ka deklaruar para hetuesve se gruas ia  kishte bërë të qartë se nuk do të lejonte ndarjen dhe se ai nuk do të shkonte në burg.

 “I pata thënë që  nuk ke për t’u ndarë prej meje. Donte të më fuste në burg”.

Me dëshminë e parë të dhënë në kushte të rënduara psikologjike, 58-vjeçari ka pranuar se konflikti me bashkëshorten që përfundoi në vrasje kishte si shkak xhelozinë dhe dhunën në familje.

Koço Buzo, ka thënë gjithashtu se gruaja donte ta denonconte për dhunë dhe të merrte urdhër mbrojtjeje dhe sipas tij gruaja donte ta fuste në burg ndaj ai e qëlloi.

Fqinjët ndërkohë thonë se nuk e dinin konfliktin mes çiftit brenda mureve të shtëpisë.

"Nuk dinim asgjë. Ky është gabim, ndaje por mos e vra" thotë një qytetar


Krimi u shënua mesditën e 6 majit, sapo gruaja doli nga Gjykata e Elbasanit ku kishte kërkuar urdhër mbrojtje.

Burri i kishte bërë pritë dhe e qëlloi me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në sy të njërit prej djemve që po e shoqëronte.

Nga breshëria e kallashnikovit që shkaktoi panik në zonën pranë Gjykatës së Elbasanit u plagos avokati Gëzim Toçila dhe një kalimtar.