Shkarkimi i Presidentit, Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor, ja anëtarët
Pesë deputetë të PS më në krye Alket Hysenin dhe katër të opozitës do të nisin hetimin e dytë parlamentar për presidentin e Republikës Ilir Meta.
8 prej këtyre anëtarëve do t’i bëjnë shërbimin e fundit PS në “luftën” politike pasi në shtator nuk do të jenë më në Kuvend.
Me 98 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenim, Kuvendi miratoi sot relacionin e 49 deputetëve socialistë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Ndërsa me 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim u miratua ngritja e komisionit hetimor me kryetar Alket Hysenin, nënkryetar Myslim Murrizin, sekretare Klotilda Bushka dhe 6 anëtar të tjerë, i cili deri me 8 korrik duhet të çojë në parlament raportin përfundimtar nëse Meta ka shkelur rëndë apo jo Kushtetutën me deklaratat e tij gjatë fushatës elektorale.
Deputetët që votuan kundër janë Elda Hoti, Artur Roshi, Lefter Maliqi, Kujtim Gjuzi , Fatjona Dhimitri dhe Adriatik Alimadhi, ndërsa Ralf Gjoni abstenoi.
Socialistët kërkojnë të bindin opinionin publik se shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit nuk ka prapavijë politike, por është një nisëm që vjen në të mirë të vendit.
Madje Taulant Balla kërkoi të përfshijë edhe Lulzim Bashën në betejën për të shkarkuar Kreun e Shtetit.
Pavarësisht se disa prej deputetëve të opozitës janë të vendosur për të bashkuar votën me PS për largimin e Presidentit, sërish hedhin dyshime nëse PS do t’i shkojë deri në fund kësaj beteje apo jo.
Përveç vendosmërisë për shkarkimin, socialistët rrëzuan edhe 10 dekrete të Presidentit Meta, i cili kërkonte që korrigjimet e reformës në drejtësi të bëra nga PS të rishikoheshin.
Mbledhja e parë e Komisionit Hëetimor do të zhvillohet nesër, 8 maj, ora 11:00.
Përbërja e Komisionit Hetimor
Kryetar
Alket Hyseni
Nënkryetar
Myslym Murrizi
Sekretar
Klotilda Bushka
Anëtar
Vasilika Hysi
Elena Xhina
Spartak Braho
Halil Jakimi
Nikolin Staka
Arlind Çarçani
Zëvendësues
Ermonela Felaj
Xhemal Qefalia
Eugen Bojaxhi

