Kopshti Botanik i mbetet Universitetit, Gjykata Administrative rrëzon Veliajn
Gjykata Administrative i ka dhënë fund debatit mes fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe bashkisë së Tiranës.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve trupa vendosi që pronësia e kopshtit botanik t'i mbetet universitetit.
Rektori, Spiro Drushku në deklaratën për mediet theksoi se para se Gjykata të shprehej bashkia kishte vepruar me ndryshimin e pronësisë me hipotekë, por tashmë akti kthehet në nul.
"Nuk kishte asnjë argument që shkonte pro kryeministrisë, bashkisë Tiranë apo ministrisë së Arsimit. Duke filluar që nga shkeljet proceduriale, shkeljet e VKM-ve, të ligjeve, moszbatimin e ligjit të arsimit të lartë e shumë e shumë të tjera që gjykatësi sot i ka thënë më mirë se ne vetë që ishim palë akuzuese," tha rektori.
Rektori shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me bashkinë e Tiranës për realizimin e projektit.
"Ne jemi gjithmonë të hapur të presim dhe të mirëpresim të gjitha mundësitë e investimeve që do të dojë bashkia të bëjë pranë kopshtit Botanik. Ne kemi nevojë për ato investime, por kemi nevojë që ato investime të bëhen ashtu si duhet. Sigurisht ne e mirëpresim në çfarëdolloj formë, por pa cenuar administrimin e atij laboratori natyror," tha rektori.
Në korrik të vitit 2009 përmes një vendimi të këshillit të ministrave u vendos që hapësira prej 15 hektarësh t'i hiqej universitetit dhe t'i kalonte bashkisë së Tiranës. Rrëzimi i këtij akti nga Gjykata mori vlerësimin edhe të opozitës.
