Partia Republikane amerikane rrezikohet nga fraksionet e brendshme

Presidenti Xho Bajden mendon se opozita amerikane është në krizë identiteti dhe nuk po ndahet dot nga trashëgimia e Donald Trampit.

Demokrati mposhti në nëntor paraardhësin republikan, edhe pse ky i fundit nuk e ka pranuar humbjen dhe pretendon se iu vodhën zgjedhjet.

Ndër kritiket e forta të kësaj ideje është numri tre i Partisë Republikane, kongresmenia, Liz Çenei, e cila më herët u rreshtua me demokratët për shkarkimin e Trampit si president, e tani rrezikon vetë përjashtimin nga lidershipi i partisë.

"Duket sikur Partia Republikane po përpiqet të gjejë se çfarë përfaqëson dhe është në mesin e një minirevolucioni. Prej vitesh jam demokrat; përplasje e mosmarrëveshje të brendshme kemi kaluar edhe ne, por nuk i mbaj mend të tilla."

Kongresmenia Çenei u bëri thirrje të mërkurën kolegëve republikanë se Partia e tyre ndodhet në një pikë kthese, dhe tashmë duhet të zgjedhin mes dy rrugëve: të ndjekin të vërtetën dhe frymën e Kushtetutës, ose t'i bashkohen kryqëzatës së ish-presidentit Tramp për të delegjitimuar rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.

Presidenti Bajden mendon se ai shpreson që kundërshtarët t'i zgjidhin shpejt dallimet e thella pasi opozita i duhet Amerikës.

"Na duhet sistemi me dy parti. Nuk është i shëndetëshëm sistemi njëpartiak, por rrugëdalja duket e largët për republikanët."

Në zgjedhjet e nëntorit 2020, republikanët humbën presidencën, Dhomën e Ulët të Kongresit dhe avantazhin në Senat, humbje të pritura me revoltë nga mbështetësit më 6 janar.