Shano: E dinim çdo të bënte Rama, ankimimet që po i bën sot PD, duhet të ishin bërë para 25 prillit

I ftuar në Tempora nga Sonila Meço në RTV Ora, ekonomisti Dritan Shano u shpreh se ka munguar një vëmendje juridike për çështjet parazgjedhore.

Ai shtoi se ankimimet që PD po bën pas zgjedhjeve, kishte mundësi që t'i bënte më parë duke parandaluar atë që e quajti si masakër zgjedhore.

Shano: Ka munguar një vëmendje juridike për çështjet parazgjedhore. Edi Rama nuk ka bërë asgjë që nuk pritej prej tij. Ne e dimë fare mirë se çfarë do të bënte. Rama e ka çuar aty ku nuk mban më. Nuk ishte asnjë ankesë para zgjedhjeve. Ne pas datës 25 ne kishim bindjen se kishim fituar dhe më pas rezultoi se kishim humbur.

Fakti që ne dolëm të lagur, është sikur të hidhesh në det dhe të presësh që të mos lagesh. E rëndësishme për mua është se çfarë bëmë ne që ta frenonim ne për ta parandaluar këtë masakër. Ne kemi ndër juristët më të zotë që ka Shqipëria dhe që kanë një barrë edhe politike. Në këtë aspekt rasti duhet ndërtuar në avancë dhe duke mos pritur takticizma politike. Këto ankimime që po i bëjmë sot, duhet të ishin bërë dje.