Kanadaja bëhet vendi i parë që autorizon përdorimin e vaksinës Pfizer për fëmijët 12-15 vjeç

Kanadaja ka autorizuar përdorimin e vaksinës Pfizer kundër Covid-19  për fëmijët nga mosha 12 deri në 15 vjeç, duke u bërë vendi i parë që e ka lejuar vaksinën për këtë grupmoshë.

Ministria e Shëndetësisë e mori vendimin bazuar në të dhënat nga provat klinike të fazës tre mbi fëmijët e kësaj moshe.

"Departamenti përcaktoi që kjo vaksinë është e sigurt dhe efektive kur përdoret në këtë grupmoshë më të re," tha një këshilltar në ministri. Pfizer thotë se vaksina e saj funksionon mirë në këtë grupmoshë.

Kanadaja tashmë ka autorizuar përdorimin e vaksinës Pfizer tek njerëzit mbi 16 vjeç.

Vendi ka regjistruar më shumë se 1.2 milion raste koronavirus dhe afërsisht 20% e tyre kanë qenë  nën moshën 19 vjeç.

Rreziku i fëmijëve për t’u sëmurur shumë ose për të vdekur me Covid-19 është i vogël, dhe gjatë gjithë pandemisë ata shumë rrallë kanë nevojë për trajtim spitalor.

Si pjesë e aprovimit të vaksinës, Pfizer do të duhet të vazhdojë të sigurojë informacione për ministrinë e Shëndetit të Kanadasë mbi sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë e vaksinës tek ata të moshës 12 deri në 15 vjeç.

Marsin e kaluar, Pfizer tha se rezultatet fillestare nga provat e vaksinës së saj në këtë grupmoshë treguan efikasitet 100% dhe një përgjigje të fortë imune .