BE kërkon prova për shitblerjen e votës, Varherly: Do të presim procesin e apelimit
Bashkimi Europian ende nuk ka një qëndrim zyrtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pasi është në pritje të procesit të ankimimeve nga ana e partive politike.
Eurokomisioneri për Zgjerimin gjatë vizitës shkurtër në Shqipëri u shpreh qartë se Brukseli kërkon prova për të gjitha pretendimet që ka ngritur opozita për shitblerjen e votës.
Oliver Varhelyi: Ne kemi ambasador vërtet shumë të mirë në Shqipëri dhe jam krenar që kam mundësi të punoj me të. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm për procesin e zgjedhjeve. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, mendoj që pas një fushate zgjedhore të zjarrtë dhe debateve të zjarrta gjëja që na nevojitet tani janë rezultate të qartqa përfundimtare.
Ka filluar periudha e apelimit, duam të shohim të gjitha parregullsitë qoftë dhe blerjen e mundshme të votave të ndiqet nga autoritetet gjyqësore por pas këtij procesi na duhen rezultate përfundimtare. Pas rezultatit do të na duhet që Kuvendi të fillojë nga puna e vet shumë shpejt për reformat e BE. Pa një parlament të plotë nuk është e mundur që të ecet përpara në rrugëtimin tuaj drejt BE dhe ka ende mjaft punë për të bërë.
Këtë qëndrim ja ka bërë të qartë edhe kryedemokratit në takimin prej rreth 20 minutash në ambjentet e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Bisedimet e zyrtarit të Lartë të BE me Lulzim Bashën u zhvilluan pa praninë e mediave, por në përfundim të takimit, Rama dhe Basha lanë në të njëjtën kohë aeroportin e Rinasit.
Konferenca e parë ndërqeveritare ku do të vendoset hapja ose jo e negociatave të integrimit do të varet nga Shqipëria pasi eurokomisioneri paralajmëroi se një krizë tjetër politike, si ajo e braktisjes së Parlamentit do ta penalizojë rrugën europiane të Shqipërisë.
Oliver Varhelyi: Jo vetëm nga qeveria por edhe kuvendi i ri. Duhet të tregojmë me punë që japim rezultate, po presim rezultatet e procesit të apelimit dhe atëherë shpresojmë që Shqipëria të ecë përpara dhe të punojë plotësisht për anëtarësimin në BE.
Ndërsa Rama, me gjuhën e diplomatit, para zyrtarit europian, ripërsëriti thirrjen ndaj Lulzim Bashës për bashkëpunim pa kushte për hir të projekteve të mëdha.
Si një mik i paftuar por pa ndryshuar intenerarin e saj, Turqia nëpërmjet linjës së saj ajrore u bë pjësë e konferencës për shtyp të eurokomisionerit dhe kryeministrit shqiptar.
Ndërprerja e fjalës së Oliver Varherly nga ky “incident” ajror u shoqërua me një buzëqeshje në fytyrën e Edi Ramës.
BE i dhuroi Shqipërisë 4680 dozat e parë nga totali prej 145 mijë që pritet të mbërrijnë në vendin tonë deri në muajin gusht.




