Bayerni merr vendimin, nuk ka më bileta të shtypura për tifozët
Bayern Munchen vijon të mbetet një lider dhe shembull i nismave shumë të përparuara apo inovative siç është ajo e fundit lidhur me biletat për tifozët.
Klubi bavarez njoftoi se nuk do të lëshojë më bileta të shtypura për tifozët pasi të hiqen masat kufizuese që i ndalon ata të futen në stadium dhe ky vendim ka disa arsye.
Sipas zv.presidentit, Jan-Christian Dreesen, heqja e biletave të shtypura bëhet për qëndrueshmërinë e klubit, ruajtjen e burimeve dhe zvogëlimin e emetimit të dioksidit të karbonit dhe tani e mbrapa 350 mijë biletat që u dërgoheshin me postë tifozëve nuk do të bëhen më duke kaluar gjithçka online.
Bayerni bëhet një prej klubeve të para në botë, mes gjigantëve të futbollit që kalon në bileta tërësisht online për tifozët ndërsa këta të fundit presin që të mos ketë rritje të çmimeve për shkak të sistemit online të cilin e merr përsipër klubi.
Sipas shtypit gjerman, kufizimet për sezonin e ardhshëm do të hiqen plotësisht dhe tifozët mund të rikthehen në stadiume në vjeshtë që do të përkojë sipas planeve me vaksinimin e mbi 65% të populates në Gjermani.
