Tentuan të kalonin në Rinas me test fals të COVID-19, i kap policia
10 persona janë proceduar penalisht, pasi kanë tentuar që të kalojnë në Rinas me test të falsifikuar të Covid-19.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe goditur disa raste të tentativës për të kaluar kufirin me test të falsifikuar të COVID-19 dhe si rezultat janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale "Falsifikimi i formularëve, i vulave ose i stampave", shtetasit:
G. P., L. P., A. D., F. D., S. Th., E. Th., B. A., A. A., M. N. dhe S. Sh., të gjithë banues në Shkodër.
"Gjatë verifikimit të dokumenteve plotësuese të këtyre shtetasve është dyshuar për testet që ata kanë paraqitur dhe pasi është komunikuar me klinikat përkatëse, ka rezultuar se këto teste ishin të falsifikuara."
Nga ana e Policisë Kufitare Rinas, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.
Shërbimet e Policisë Kufitare në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar vijojnë bashkëpunimin e ngushtë edhe me autoritete e tjera të zbatimit të ligjit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në të gjitha fushat.

