Rrezikon mandatin/ Petrit Vasili: Zgjedhjet nuk kanë mbaruar, opozita detyrë të mbrojë vullnetin e sovranit
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar për herë të parë pas ditës së zgjedhjeve, ku fituese doli Partia Socialiste. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale Vasili shprehet se beteja sapo ka nisur.
Ai thotë se PD, LSI e partitë e tjera duhet të mbrojnë votën e qytetarëve, teksa shton se analizat dhe kërkesat për dorëheqje nuk e kanë kohën sot.
"Zgjedhjet nuk kanë mbaruar, përkundrazi beteja sapo ka filluar! S’ka asnjë aksion tjetër dhe asnjë fokus tjeter perveç numërimit dhe rinumërimit të çdo vote, të kalimit në site te çdo procesverbali dhe te çdo shkelje e manipulimi rilindas.
Partia Demokratike, LSI dhe te gjithe partitë e tjera opozitare nuk kanë asnjeë detyrë tjetër veç kesaj. Qindra mijra qytetare kane dhene votën dhe çdo vote e tyre duhet te mbrohet me cdo kusht e me çdo mjet nga të gjitha partite e opozitës. Analizat dhe kerkesat per doreheqje nuk e kanë kohën sot, por ato do të bëhen patjeter në kohën e duhur."
Petrit Vasili është i dyti në listë në Tiranë me 345 vota, ndërkohë Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në Tiranë ka marrë 2446 vota. Do të jetë zgjedhja e Kryemadhit se në cilin qark do të mbajë mandatin që të vendos edhe fatin politik të Vasilit. Kryemadhi ishte kandidate në Tiranë, Fier edhe Elbasan, ku numrin më të madh të votave e ka marrë në Kryeqytet.

