"Kallashnikov, granata dhe mina anti-tank" , zbulohet një arsenal armësh të fshehura në një fermë
Në Itali është kryer sekuestrimi më i madh i armëve, i parë deri më sot. Autoritetet e policisë italiane informojnë se kanë sekuestruar në rajonin e Puglias një arsenal armësh lufte të fshehur në një fermë në territorin e Andria të rajonit të Puglias.
Sekuestrimi u krye falë hetimeve të një operacioni që ka vënë nën akuzë për korrupsion aktesh gjyqësore një gjykatës e një avokat italian.
Përgjimet ambientale e telefonike zbardhën ekzistencën e këtij arsenali armësh i cili përbëhej nga 66 mitralozë të tipit Uzi, kalashnikov, M12, AR15, 99 pistoleta, 33 pushkë mes të cilave disa me karabinë precizioni, mina antitank, bomba dore, 10 silenciatorë, 300 detonatorë, 300 kallëpa me lënde eksplozive.
Me urdhër të Departamentit të Antimafias së Lecces këto armë do u nënshtrohen ekspertizës për të kuptuar prejardhjen e tyre.
"Është sekuestrimi më i madh i armëve i kryer ndonjëherë në Itali", ka deklaruar prokurori i Antimafias së Lecces Leonardo Leone de Castri.
Depozita e armëve ndodhej në një bodrum nëntokësorë, i izoluar me beton e me një portë hekuri që ishte fshehur nga mobiljet e kuzhinës.
Gjetja e kësaj depo armësh erdhi si frut i një hetimi kompleks e për autoritetet italiane hetimet do të vazhdojnë paralelisht me procesin gjyqësorë për korrupsion ndaj gjykatësit Giuseppe De Benedictis, i arrestuar të shtunën e shkuar së bashku me avokatin barez Giancarlo Chiariello e Danilo Della Malva, anëtar i klanit kriminal Raduano në territorin e Viestes (Puglia).



