Evropë, më shumë vaksinime sesa infektime, drejtori i OBSH: Vërehet rënie e trendit të infektimeve

Mbi 460 ditë nga rastet e para në rajon, vërehet rënie e trendit të infektimeve

Më shumë se 460 ditë nga rastet e para, Europa po raporton një numër më të vogël infektimesh nga Covid-19 që po tejkalohen nga vaksinimet.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, 5,5 për qind e evropianëve e kanë kaluar sëmundjen ndërsa 7 për qind janë vaksinuar plotësisht.

Dozën e parë e kanë marrë 16 për qind e evropianëve ndërsa 28 shtete kanë imunizuar mbi 81 për qind të stafit shëndetësor.

"Virusi ende ka potencialin për pasoja të rënda, por vaksinat po shpëtojnë jetë njerëzish dhe do e ndryshojnë kursin e kësaj pandemie," tha Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për rajonin e Europës.

OBSH-ja pranon se normat e infeksionit në rajon mbeten jashtëzakonisht të larta, dhe gjysma e të gjitha rasteve të raportuara në këta 4 muaj është sa rastet e shënuara gjithë vitin e kaluar.

Në botë janë mbi 1 miliard të vaksinuarit kundër Covid-19, mesatarisht me 14 doza për 100 veta.

Britania mban vendin e parë në Evropë, që ka imunizuar 50 për qind të popullsisë me njërën dozë, ndërsa rajonin e Ballkanit e kryeson Serbia me gati 30 për qind të personave të vaksinuar.